Vlorë – Vihet në pranga nga Policia, një 30-vjeçar në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimi drejt Italisë

Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar.

Operacioni nga DVP Vlorë, në bashkëpunim me Interpol Tirana.

Vihet në pranga nga Policia, një 30-vjeçar në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimi drejt Italisë.

Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve me ZQK Interpol Tirana dhe Departamentin e Policisë Kriminale, mbrëmjen e djeshme kanë bërë të mundur lokalizimin dhe arrestimin provizor të shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar:

G. K., 30 vjeç, banues në Orikum, Vlorë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet policore italiane, pasi Gjykata e Messinas, Itali, ka lëshuar urdhër-arrestin për veprat penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal italian.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë.