Vlorë – U kap në flagrancë teksa priste dru në fshatin Tragjas, në kundërshtim me ligjin, vihet në pranga 39-vjeçari, i cili rezultoi në kërkim

Vlorë/Shtohen kontrollet për të parandaluar dhe goditur krimet kundër mjedisit.

U kap në flagrancë teksa priste dru në fshatin Tragjas, në kundërshtim me ligjin, vihet në pranga 39-vjeçari, i cili rezultoi në kërkim, i dënuar me burgim për kanosje.

Sekuestrohet sasia e druve të prera prej tij.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Orikum, në vijim të kontrolleve me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit, në fshatin Tragjas, kanë kapur në flagrancë duke prerë dru, në kundërshtim me ligjin, shtetasin A. F., 39 vjeç, banues në Korçë.

Nga verifikimet rezultoi se 39-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga Policia e Korçës, pasi Gjykata e Apelit në Tiranë, me vendimin e datës 07.11.2023, e ka dënuar me 4 muaj burgim, për veprën penale “Kanosja”.

Materialet procedurale i kaluan prokurorive kompetente, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për të gjithë qytetarët që të mos implikohen në veprimtari të kundërligjshme në dëm të mjedisit, pasi kontrollet vijojnë pandërprerë dhe çdo tentativë do të konstatohet dhe do të goditet me forcën e ligjit.