Vlorë – Policia Kufitare dhe Roja Bregdetare shpëtojnë 12 shtetas që rrezikuan të mbyteshin në det

Vlorë

Policia Kufitare dhe Roja Bregdetare shpëtojnë 12 shtetas, nga të cilët 11 turistë nga vende të ndryshme, të cilëve ju rrezikohej jeta në mjetin lundrues që kishte pësuar defekt në det.

Pronari i mjetit lundrues u ndëshkua me masë administrative 100 000 lekë, ndërsa mjeti lundrues i tij u bllokua, pasi nuk ishte i pajisur me Çertifikatën e Operatorit Turistik Detar.

Shtetasi E. L., 30 vjeç, banues në Vlorë, ka kërkuar ndihmën e Policisë pasi përballë porit të Vlorës, mjeti i tij lundrues, kishte pësuar defekt në motorr.

Shërbimet e Policisë Kufitare të SPK Triport, me marrjen e njoftimit, u nisën menjëherë me një mjet lundrues dhe në bashkëpunim me mjetin lundrues të Rojes Bregdetare, bënë të mundur të shpëtojnë 12 shtetasit që ndodheshin në bordin e mjetit lundrues, ku 11 prej tyre ishin turistë, nga vende të ndryshme si Polonia, Franca, Izraeli e Belgjika.

Shërbimet e Policisë Kufitare pasi kanë tërhequr drejt portit mjetin lundrues ku ndodheshin turistët, kanë kryer verifikimet nga të cilat ka rezultuar se mjeti lundrues i dalë në lundrim nga SPK Triport, është mjet lundrues për përdorim personal dhe nuk është i pajisur me Çertifikatën e Operatorit Turistik Detar.

Mjeti lundrues u bllokua dhe shtetasi E. L. u ndëshkua me masë administrative gjobë në masën 100 000 lekë, bazuar në Ligji Nr. 43/2020 “Për operatorët turistikë detar”.

Turistët të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore kanë falënderuar shërbimet e Policisë dhe të Rojës Bregdetare për ndihmën dhe reagimin e shpejtë.