Vlorë – Kapet shtetasi i shpallur në kërkim për “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, ngjarje e ndodhur më 6 tetor

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në vijim të punës intensive për kapjen e personave të shpallur në kërkim, falë edhe bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët ka bërë kapjen dhe ndalimin e shtetasit A. R., 46 vjeç, banues në Vlorë, i cili ishte shpallur në kërkim për ngjarjen si më poshtë:

Më datë 06.10.2019, në një lokal të lagjes “Partizani”, si pasojë e një konflikti të çastit, shtetasi A. R. ka tentuar të vrasë me mjet prerës (thikë) duke plagosur rëndë shtetasin G. Ll., 46 vjeç, me banim në Vlorë.

Menjëherë në vijim të kësaj ngjarjeje është arrestuar në kushtet e flagrancës pronari i lokalit, i cili nuk ka bërë kallëzim pranë organeve të policisë dhe ka prishur gjithashtu edhe provat në vendngjarje.

Materialet iu referuan Prokurorisë në ngarkim të shtetasit A. R. për veprën penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë.