Vlorë – Finalizohet operacioni i koduar “Mirror”. Policia ka arrestuar 2 shtetas, pasi dyshohet se vidhnin pasqyrat e automjeteve në qytet.

Specialistët për hetimin e krimeve, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative për vjedhjen e pasqyrave të mjeteve të markës “Mercedes”, menjëherë kanë organizuar punën me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në kuadër të këtij operacioni, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve D.S dhe R.H (24 dhe 38 vjeç) me banim në Vlorë, të cilët dyshohen se ditën e djeshme në lagjen “Pavarësia” Vlorë kanë vjedhur pasqyrat e një automjeti mercedes, në pronësi të shtetasit A.L, duke i shkaktuar dëmin prej 15.000 lekë të rinj.

Nga hetimet e kryera, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 28.02.2020, në lagjen “Isa Boletini” Vlorë dyshohet se gjatë orëve të para të mëngjesit të kenë vjedhur pasqyrat e automjeteve mercedes në pronësi të shtetasve D.H., Dh.A., A.L dhe O.H.

Gjithashtu, më datë 08.02.2020, në lagjen “Pavarësia 3” dyshohet të kenë vjedhur pasqyrat e mercedesit në pronësi të shtetasit Y.G (dëmi 12.000 lekë).

Dëmi i shkaktuar i 5 automjeteve në total arrin vlerën prej 127.000 lekë të rinj.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.