Finalizohet një tjetër operacion në fushën e narkotikëve, i koduar “Befasia”.
Mbante lëndë narkotike në banesë dhe e shpërndante në doza të vogla, vihet në pranga 29-vjeçari.
29-vjeçari tentoi të ikte nga banesa, por u kap pas ndjekjes nga shërbimet e Policisë, në një rrugicë afër banesës së tij.
Sekuestrohen rreth 7 kg lëndë narkotike cannabis sativa.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët e narkotikëve, në bashkëpunim me forcat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, kanë finalizuar me sukses një tjetër operacionin antikanabis të koduar “Befasia”.
Në kuadër të këtij operacioni, bazuar në informacione të marra në rrugë operative se në banesën e shtetasit A. Gj. dyshohej që kishte lëndë narkotike, menjëherë është organizuar puna e strukturave përkatëse për kontrollin e banesës së tij në lagjen “Partizani”, Vlorë.
Shtetasi A. Gj., sapo ka kuptuar se po afroheshin shërbimet policore, ka tentuar të largohet me vrap, por falë veprimeve të shpejta policore është bërë e mundur ndjekja dhe kapja e tij në flagrancë, në një nga rrugicat afër banesës së tij.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar rreth 7 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa.
Materialet do t’i referohen Prokurorisë Vlorë, në ngarkim të shtetasit A. Gj., për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.