Në vijim të operacionit Forca e Ligjit, informojmë opinionin publik se në zbatim të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL sapo i ka nisur kërkesat me shkrim për deklarimin e burimeve të pasurisë, subjekteve:
– L. B., 49 vjeç, lindur dhe banues në rrugën “Adria”, Durrës, drejtues i një grupi kriminal, autor i veprave penale “Grupi i strukturuar kriminal”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Ky shtetas, në vitin 2012 është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe në vitin 2016 Gjykata e Apelit Durrës ka vendosur lirimin e tij me kusht.
– A. Ç., 52 vjeç, i arrestuar në flagrancë për veprat penale ”Vrasja e punonjësve të policisë, e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Ky shtetas dyshohet si organizator i një sërë vrasjesh të ndodhura në qytetin e Elbasanit për motive hakmarrjeje. Dyshohet se ky shtetas, së bashku me të afërm të tij ka kryer vrasje me pagesë, në periudhën 2009-2016.
Si subjekt i Ligjit Special, këta individë duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së. Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, i cili brenda jo më shumë se 15 ditësh, duhet të vlerësojë dosjen e përgatitur nga OFL-ja mbi aktivitetin kriminal të këtyre subjekteve, si edhe pasurinë e tyre. Sapo të bëjë këtë vlerësim, SPAK-u duhet t’i kërkojë Gjykatës Speciale masën e sekuestrimit për pasuritë e subjekteve dhe pas sekuestrimit, në jo më shumë se 6 muaj Gjykata Speciale duhet të vendosë për konfiskimin përfundimtar të tyre.
Sqarojmë se me marrjen e masës së sekuestros, çdo biznes, mjetet motorike apo tokat në pronësi të subjekteve administrohen nga agjencia e posaçme e Ministrisë së Brendshme. Vetëm banesa mund të vazhdojë të përdoret për strehim, po as mund të shitet, të blihet apo të jepet me qira nga subjekti.
OFL do të informojë publikun vijimësisht, për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë. Të gjitha subjektet e Ligjit Special, pra të gjithë të dënuarit apo të akuzuarit gjatë 30 viteve të fundit, për krimet e parashikuara në këtë ligj, do të kalojnë sitën e provës së ligjshmërisë së pasurisë së tyre. Asnjë përjashtim nuk do të ketë dhe nuk mund të ketë dhe çdo përpjekje për të tjetërsuar ndërkohë pronën, duke përdorur familjarë apo të njohur, do të rëndojë të dyja palët. Kujtojmë se Ligji Special parashikon vlerësime dhe hetime specifike të pasurisë edhe për rrethin familjar të personave të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar e krime të rënda.