Parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale.
Qarkullonte i armatosur dhe dyshohet se do të kryente ngjarje kriminale, falë inteligjencës policore kapet dhe vihet në pranga 37-vjecari, i cili tentoi të largohej në momentin e ndërhyrjes së Policisë.
I arrestuari, i dënuar më parë brenda dhe jashtë vendit, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe për mashtrim.
Sekuestrohen arma e zjarrit kallashnikov dhe 2 krehrat me municion luftarak.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetas që qarkullonte me automjet, me armë zjarri me vete, dyshohet se do të kryente ngjarje kriminale, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Kontigjenti”.
Në kuadër të operacionit, në unazën e qytetit të Vaut të Dejës, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin e dyshuar dhe kanë ndërhyrë menjëherë për ta ndaluar.
Drejtuesi i automjetit ka tentuar të largohet, por është neutralizuar dhe është vënë në pranga nga shërbimet e Policisë.
Gjatë kontrollit në brendësi të automjetit tip “Audi”, poshtë sediljes së pasme të pasagjerit, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri kallashnikov dhe 2 krehra me municion luftarak.
Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestua në flagrancë shtetasi M. (Z.) Gj., 37 vjeç, banues në Vaun e Dejës, i dënuar më parë në Shqipëri, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe për mashtrim, si dhe në Francë, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në bashkëpunim me ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet e thelluara për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të qëllimit që kishte ky shtetas që qarkullonte me armë zjarri.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.