Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku mbeti i plagosur me armë zjarri 39-vjeçari G. B.
Vihet në pranga autori kryesor i dyshuar për plagosjen e 39-vjeçarit.
Procedohet penalisht edhe i dëmtuari, shtetasi G. B.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur rreth orës 00:30, në rrugën “Ibrahim Rugova”, ku pas një konflikti për motive të dobëta mbeti i plagosur me armë zjarri në këmbë, shtetasi G. B., 39 vjeç, i cili u dërgua në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, organizuan punën duke ngritur pika kontrolli, krehje të zonës, si dhe u ngrit grupi hetimor për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Falë reagimit në kohë dhe veprimeve të shpejta e profesionale u bë e mundur kapja e autorit të dyshuar të plagosjes me armë të 39-vjeçarit. Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. B., 22 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar si autori kryesor i ngjarjes.
Gjithashtu u procedua penalisht, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, shtetasi i dëmtuar G. B, pasi dyshohet se ka dëmtuar me mjet prerës në pjesën e krahut autorin e ngjarjes, shtetasin R. B.
Ndërkohë vijon puna për kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të implikuar apo kanë dijeni për ngjarjen.
Materialet hetimore në lidhje me këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” në ngarkim të shtetasit R. B, si dhe për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje” në ngarkim të shtetasit G. B