Tiranë – Vijon puna për parandalimin e vjedhjeve të motoçikletave, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, si dhe për kapjen dhe arrestimin e autorëve

Arrestohet në flagrancë 1 shtetas i cili kryente vjedhje motoçikletash.

Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale motoçikleta e vjedhur së fundmi.

Zbardhet dhe 1 vjedhje tjetër e ndodhur më parë, e cila dyshohet se është kryer nga ky shtetas.

Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, si dhe për kapjen dhe arrestimin e autorëve, Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1 mbi bazën e informacioneve të grumbulluara nga kallëzimet për një shtetas që dyshohej se kryente vjedhje motoçikletash në Tiranë, kanë organizuar punën duke bërë të mundur gjetjen e këtij shtetasi.

Si rezultat i punës së mirëorganizuar nga shërbimet policore u bë i mundur arresti në flagrancë i shtetasit I.D., 44 vjeç, banues në Allias, Tiranë , i dënuar më parë për vjedhje.

Në vijim të hetimeve, bazuar edhe në provat e grumbulluara dyshohet se ky shtetas është autor edhe i 1 vjedhjeje motoçiklete, të ndodhur gjatë muajit maj të këtij viti në Tiranë.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhja”.