Goditen dy raste të veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza.
Sekuestrohen doza me lëndë narkotike kanabis , një shumë parash, aparate celular dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Vihen në pranga poseduesit dhe shpërndarësit e lëndës narkotike.
Në vijim të punës për kontrollin e territorit, me qëllim evidentimin dhe kapjen e personave që qarkullojnë me lëndë narkotike, merren me shpërndarjen e tyre në të gjithë qarkun e Tiranës apo që i mbajnë në banesë, janë goditur 2 raste të shpërndarjes së lëndëve narkotike, në vende të ndryshme, dhe janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, konkretisht:
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.3 në bashkëpunim me Seksionin e Narkotikëve kanë arrestuar në flagrancë shtetasin E. M, 28 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një 52 doza me lëndë narkotike kanabis.
Ndërkohë, nga Forca e Posaçme “Shigjetat” në bashkëpunim me Seksionin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. M, 21 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e tij, iu gjet dhe iu sekuestrua 46 doza me lëndë narkotike kanabis,një shumë parash, një aparat celular dhe qese farmaceutike që përdoreshin për paketimin e lëndës narkotike.
Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të këtyre shtetasve, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.