Tiranë – Vijon operacioni policor i koduar “Fati i lojërave”

Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 2, për goditjen e aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e lojërave të fatit.
Arrestohen në flagrancë 2 shtetas që ushtronin këtë veprimtari.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, kanë evidentuar një rast të ushtrimit të kësaj veprimtarie, nëpërmjet lotarive sportive.
Në përfundim të veprimeve hetimore u arrestuan në flagrancë shtetasit:
– E. O., 35 vjeç, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojra të palejuara”;
– A. D., 41 vjeç, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.
Këta shtetas u konstatuan duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit, nëpërmjet lotarive sportive, në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit E. O., në rrugën “Ndre Mjeda”, i cili e kishte vënë lokalin në dispozicion për ushtrimin e kësaj veprimtarie të paligjshme.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy aparate celulare që dyshohet se përdoreshin për ushtrimin e aktivitetit të lojërave të fatit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.