Tiranë/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli”.
Evidentohet dhe goditet, nga Komisariati i Policisë Nr. 6, një rast i shitjes së lëndëve narkotike, në doza, afër shkollave.
Vihet në pranga 20-vjeçari që u kap në flagrancë me doza kanabisi, në afërsi të një shkolle në Kashar.
Sekuestrohen doza lënde narkotike kanabis, gati për shitje.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli”, pasi kanë siguruar informacion se një shtetas shiste lëndë narkotike kanabis, në afërsi të një shkolle në Kashar, kanë organizuar punën për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.
Si rezultat, në afërsi të një shkolle në Kashar, u kap dhe arrestua në flagrancë shtetasi E. S., 20 vjeç, banues në Kashar.
Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën 20-vjeçarit, sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, të ndarë në doza, gati për shitje.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se 20-vjeçari e siguronte lëndën narkotike në sasi dhe më pas e ndante në doza, të cilat i shiste në afërsi të shkollave në Kashar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.