Policia Rrugore e Tiranës arreston në flagrancë 3 drejtues të tjerë mjetesh që drejtonin mjetet e tyre, nën efektin e lëndëve narkotike.
Që nga nisja e përdorimit të aparatit AquilaScan, para dy javësh, janë vënë në pranga 7 shtetas që janë kapur në flagrancë duke drejtuar mjetet e tyre, nën efektin e lëndëve narkotike.
Policia Rrugore e Tiranës, gjatë kontrolleve parandaluese me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor apo drejtojnë automjetet në mënyrë të parregullt, kanë arrestuar në flagrancë 3 drejtues automjetesh, shtetasit:
– E. A., 23 vjeç dhe J. M., 26 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”;
– V. D., 27 vjeç, banues në Selanik, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Moskallëzimi i krimit”;
Gjatë kryerjes së testit të drogës, me aparatin AquilaScan, ka rezultuar se këta shtetas drejtonin mjetet e tyre, nën efektin e lëndëve narkotike.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në automjetin që drejtonte shtetasi V. D., pasagjerit në këtë mjet, shtetasit A. M. iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa.
Policia Rrugore e Tiranës apelon për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.