Tiranë/Vihen në pranga 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale

Arrestohet drejtuesi i automjetit që aksidentoi një 75-vjeçare, e cila për shkak të dëmtimeve, ndërroi jetë në spital, ditën e djeshme.

Pas testimit me aparatin AquilaScan, drejtuesi i automjetit ka rezultuar nën efektin e lëndëve narkotike.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor kanë arrestuar në flagrancë shtetasin M. A., 23 vjeç, banues në Tiranë, pasi ditën e djeshme, rreth orës 16:00, duke drejtuar automjetin, në bulevardin “Zhan D’Ark”, ka aksidentuar shtetasen D. K., 75 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila më pas ka ndërruar jetë, në spital.

Pas testimit me aparatin AquilaScan, ka rezultuar se drejtuesi i automjetit, shtetasi M. A., ishte nën efektin e lëndëve narkotike.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.

Specialistët e Seksionit të Kërkimit kapën shtetasin në kërkim Qerim Shoshari, 56 vjeç, banues në Tiranë, të cilin Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 8 muaj burgim, për veprën penale “Dhuna në familje”.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin K. K., 58 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, nën efektin e alkoolit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë referuar materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasen K. Sh., 24 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, pasi në rrjetet sociale është publikuar një video në të cilën shfaqet kjo shtetase e veshur me uniformën me simbole të Policisë së Shtetit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 po punojnë për kapjen dhe shoqërimin e 2 shtetasve të mitur, 15 dhe 16 vjeç, pasi në rrugën “Mine Peza”, janë konfliktuar me një bashkëmoshatar të tyre, i cili si pasojë e konfliktit është dëmtuar. Aktualisht i dëmtuari ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.