Marrja në kohë e informacionit dhe ndërhyrja me profesionalizëm e forcave të Policisë të Komisariatit Nr. 6 parandaluan përshkallëzimin e një konflikti mes disa shtetasve.
Arrestohen në flagrancë dy shtetas, si dhe bllokohet arma e gjahut me fishekë, të cilën njëri nga shtetasit e posedonte me leje.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 Tiranë, pas marrjes së informacionit se në Fshatin Shesh, Ndroq po ndodhte një konflikt i ashpër midis disa shtetasve, organizuan menjëherë punën dhe me veprimet e shpejta dhe profesionale bënë të mundur parandalimin e mëtejshëm të këtij konflikti duke arrestuar në flagrancë shtetasit:
– D. N., 45 vjeç, banues në fshatin Shesh, Ndroq.
– K. D., 27 vjeç, banues në fshatin Shesh, Ndroq.
Arrestimi në flagrancë i shtetasve të sipërpërmendur u bë pasi, në fshatin Shesh, Ndroq, shtetasi D. N. për motive pronësie ka goditur me mjet të fortë (kazmë) shtetasin E. D, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Konflikti midis shtetasve ka agravuar më tej nga djali i shtetasit të dëmtuar, i cili ka marrë një armë gjahu të mbushur me fishekë, të cilën e posedonte me leje dhe ka tentuar të qëllojë shtetasin D. N., në banesën e tij, por nuk mundi dot falë veprimeve të shpejta të Policisë.
Gjithashtu, falë veprimeve të shpejta është bërë i mundur edhe bllokimi i armës së gjahut me fishekë, me të cilën ky shtetas dyshohet se do kryente krimin.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, në ngarkim të D. N dhe “Vrasje e mbetur në tentativë”, në ngarkim të shtetasit K. D.