Tiranë – Policia Rrugore godet një tjetër rast të mitëdhënies

I dehur në timon, i ofroi 50 euro policit rrugor për të mos bërë testin e alkoolit, por përfundon në pranga.

Efektivët e Rrugores në kryeqytet, në funksion të parandalimit të aksidenteve rrugore dhe rritjen e parametrave të sigurisë në rrugët e kryeqytetit, kanë vijuar kontrollet policore për shkeljet që janë burim për ngjarje rrugore.

Pas një telefonate në sallën e komandimit dhe drejtimit ne Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, se një automjet tip “Volkswagen” po bënte manovra të rrezikshme në rrugë dhe dyshohej se drejtuesi i automjetit ishte nën efektin e alkoolit, rrugorët u vunë në lëvizje dhe pasi bënë të mundur ndalimin e automjetit në rrugën “Ndre Mjeda”, konstatuan se drejtuesi i automjetit A. G., 46 vjeç kishte shenja të dukshme të përdorimit të alkoolit dhe gjatë veprimeve policore për verifikimin me alkoolmatës, ky shtetas i ofroi agjentit verifikues të Policisë Rrugore 50 euro, me qëllim moskryerjen e testimit për alkool.

Në këto kushte, nga rrugorët e kryeqytetit u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të automjetit, për veprën penale “Korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, si dhe për “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, pasi nga verifikimi me aparatin alkoolmatës, rezultoi se drejtonte mjetin në gjendje të dehur (testi i parë 1.27 mg/l dhe testi i dytë 1.22 mg/l).

Gjatë muajit janar 2020, nga Policia Rrugore e Tiranës janë arrestuar 5 drejtues mjetesh për veprën penale “Korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, për të cilën parashikohet dënimi deri në 3 vite burg.

# Komunitet🤝Polici👉Siguri
# SiguriaDetyrëDheMision👮🏻♀
# MosDrejto🚙PasKonsumimit🍺