Tiranë – Ndalohen 2 shtetas, në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”

Strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 4 dhe ato të Komisariatit të Policisë Nr. 5, në zbatim të masave të hartuara në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, mbi vendndodhjen e dy shtetasve në kërkim, kanë intensifikuar kontrollet për kapjen dhe vënien e tyre, përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat i kontrolleve:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kapën dhe ndaluan shtetasin D. H., 40 vjeç, banues në Tiranë, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë. Ky shtetas dyshohet se më datë 03.06.2023, në Paskuqan, ka tentuar të vrasë me mjet prerës (thikë), një 24-vjeçar;

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 kapën dhe ndaluan shtetasin A. B., 40 vjeç, banues në Tiranë, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Megaoperacioni “Sundimi i ligjit” vazhdon.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.