Tiranë – Kundërshtoi dhe goditi për shkak të detyrës, punonjësin e Policisë Rrugore, në detyrë, vihet në pranga 31-vjeçari

Tiranë

Kundërshtoi dhe goditi për shkak të detyrës, punonjësin e Policisë Rrugore, në detyrë, vihet në pranga 31-vjeçari.

Më datë 18.03.2025, te rrethrrotullimi i Unazës së Re, në rrugën “Sotir Caci”, punonjësi i Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, i planëzuar me shërbim, i ka bërë shenjë ndalimi një automjeti, pasi ka konstatuar lëvizje të pakontrolluara në rrugë. Drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar, por ka vijuar lëvizjen. Duke vijuar lëvizjen, drejtuesi i automjetit e ka tërhequr punonjësin e Policisë, për disa metra, duke i rrezikuar jetën. Punonjësi i Policisë e ka ndjekur dhe ndaluar automjetin, dhe i ka kërkuar drejtuesit, t’i paraqesë dokumentacionin. Drejtuesi i automjetit e ka kundërshtuar dhe më pas e ka goditur punonjësin e Policisë, duke i shkaktuar dëmtime fizike.

Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në Komisariat drejtuesin e automjetit, dhe në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 bënë arrestimin në flagrancë të tij, konkretisht shtetasit F. K., 31 vjeç, banues në Tiranë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.