Si rezultat i kontrolleve të shtuara, Policia goditi një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje.
Qarkullonte me automjet në rrugë dytësore, për t’iu shmagur kontrollit të Policisë, pasi mbante armë zjarri me vete, identifikohet dhe vihet në pranga 37-vjeçari.
Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.
Në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara për kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. L., 37 vjeç, banues në Domje.
Ky shtetas qarkullonte me automjet në rrugën “Bylis” (rrugë dytësore e autostradës Tiranë-Durrës), me qëllim që t’i shmangej kontrollit të Policisë, pasi mbante armë me vete, por është ndaluar dhe kontrolluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6.
Si rezultat i kontrollit, Policia i gjeti në brez një armë zjarri pistoletë që e mbante pa leje, me një krehër me 7 fishekë lutarak.
Materialet procedurale iu dërguan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale ”Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi deri në 7 vjet burgim.