Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr 2 në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponjat” dhe Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, operacioni policor “Parkingu”
Operacioni në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për parandalimin dhe goditjen e shpërndjarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla.
Sekuestrohet lëndë e dyshuar narkotike dhe një shumë lekësh të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.
Në pranga personi që shpërndante lëndën narkotike.
Në vijim të punën për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla, Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.2 në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Seksionin për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit: M. B.
Ky shtetas është konstatuar nga shërbimet e Policisë duke qëndruar në një parking në rrugën “Kongresi i Lushnjës” me një çantë të zezë të cilën e kishte lënë në tokë.
Gjatë kontrollit të ushtruar këtij shtetasi i janë gjetur në çantë disa qese me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kanabis, dy qese pluhur e dyshuar Kokainë si dhe 23600 lekë (të reja) të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprën penale ”Prodhim dhe shitje narkotikësh”.