Tiranë – Goditen dy raste të veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza

Vijon puna e pandërprerë për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Goditen dy raste të veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza.

Sekuestrohen rreth 3 kg lëndë narkotike kanabis, doza me lëndë narkotike kokainë, një shumë e konsiderueshme parash dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Vihen në pranga poseduesit dhe shpërndarësit e lëndës narkotike.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes të lëndëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 kanë goditur 2 raste të shpërndarjes së lëndëve narkotike, në vende të ndryshme, duke arrestuar në flagrancë 3 shtetas, konkretisht:

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasit:

•A. K., 33 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 3 kg lëndë narkotike kanabis, doza me lëndë narkotike kokainë, një shumë të konsiderueshme parash dhe 2 aparate celular.

•D. M., 26 vjeç dhe D. M., 18 vjeç (vëllezër), pasi gjatë kontrollit në lokalin e marrë me qira nga shtetasi D. M., 26 vjeç, ku ishte punonjës vëllai i tij, shtetasi D. M., 18 vjeç, janë gjetur dhe sekuestruar doza me lëndë narkotike kokainë dhe 1 peshore elektronike.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.