Tiranë – Goditen 2 raste të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla

Tiranë – Vijojnë kontrollet e pandërprera në zbatim të Planit të Masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla.

Goditen dhe dy raste të tjera në kuadër të këtyre masave. Sekuestrohet heroinë e kanabis, në pranga dy shtetas.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me shërbimet e tjera të Policisë Tiranë, në vijim të kontrolleve të pandërprera për goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore se në zonën “Komuna e Parisit” një shtetas shpërndante lëndë narkotike heroinë, si dhe në rrugën “Lord Bajron” një tjetër shtetas shpërndante lëndë narkotike marijuanë në doza të vogla, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës Parë Tiranë kanë hetuar me metoda speciale hetimi për një periudhë kohore disa ditore, duke finalizuar me arrestimin në flagrancë këtyre shtetasve dhe konkretisht:

Shtetasit A. D., vjeç 30, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit fizik të tij në momentin e kapjes si dhe gjatë kontrollit të banesës, iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e proves materiale 18,2 gr. lëndë e dyshuar narkotike e llojit “Heroinë”, 1 peshore elektronike dhe 1 celular.

Shtetasit K. Ç., vjeç 21, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e një lokali, shërbimet e Policisë i kanë gjetur 5 doza me lëndë të dyshuar narkotike të llojit “Cannabis Sativa”, të cilat u sekuestruan më cilësinë e provës materiale.

Vazhdojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Materialet procedurale në ngarkim të këtyre shtetasve, i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.