Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Gjatë 24 orëve të fundit janë vënë në pranga 5 shtetas, tre prej të cilëve ishte shpallur në kërkim.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit F. T., 35 vjeç, pasi në rrugën ’’Petro Nini Luarasi’’, ka vjedhur disa sende në mjetin në përdorim nga shtetasit D. K. Shtetasi F. T. ishte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”.
Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Tiranë, është kapur dhe ndaluar shtetasi i shpallur në kërkim O. B., 49 vjeç, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. A., 27 vjeç, pasi në rrugën “Osman Myderizi”, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative është ushtruar kontroll në aparatin celular që dispononte, ku iu gjet e instaluar një faqe bastesh. Ky shtetas, me anë të aplikacioneve të ndryshme komunikonte me shtetas të tjerë dhe kundrejt vlerave monetare, organizonte baste sportive.
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Y. P., 41 vjeç, pasi në rrugën “Roma”, në banesë ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij.
Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3, bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit A. S., 36 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Dhuna në familje”.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.