Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Gjatë 24 orëve të fundit janë vënë në pranga 13 shtetas, tre prej tyre të shpallur në kërkim.
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve T. S.(Ll.)., 34 vjeç dhe B.(M). Gj., 33 vjeç, banues të dy në Burrel, pasi në ambientet e një hoteli, gjatë kontrollit në dhomën e tyre u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë. Nga verifikimet ka rezultuar se të dy këta shtetas ishin të shpallur në kërkim, për veprën penale “Vjedhja”, për llogari të Komisariatit të Policisë Burrel.
Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. N., 23 vjeç, për veprat penale “Largim i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Kanosja”, pasi ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe ka kanosur një shtetase.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit N. Xh., 57 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij. Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 është arrestuar në flagrancë shtetasi A. H., 41 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij.
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit të mitur K. S., 17 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja”. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj këtij shtetasi u gjetën një mjet prerës (thikë) dhe një levë metalike me majë të mprehtë që shërben për hapjen e dyerve, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Nga specialistët e Seksionit Ekonomiko-Financiar u bë ndalimi i shtetasit D. K., 25 vjeç, për veprat penale “Falsifikimi i monedhave” dhe “Shkelja e të drejtës së pronësisë industriale”, pasi në një pikë karburanti ka përdorur një kartëmonedhë të falsifikuar.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
Sh. M., 60 vjeç, H. B., 55 vjeç, A. Sh., 35 vjeç dhe G. K., 34 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur;
F. M., 28 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse;
I. L., 30 vjeç, pasi duke drejtuar mjetin tip “Volkswagen Golf” është përplasur me mjetin motor me drejtues N. T., i cili dyshohet se ka bërë një manovër të gabuar. Për pasojë është dëmtuar drejtuesi i motorit, shtetasi N. T., i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.