Operacioni për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në D. V. P Tiranë, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Kufitare Qafë Thanë dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Arrestohen në flagrancë 2 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër.
Sekuestrohen drogë e armë.
Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pas një hetimi proaktiv dhe një pune intensive në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Kufitare Qafë Thanë, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Shkëmbimi”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
A. L., 54 vjeç, lindur në Gjirokastër dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Dhuna në familje”. Arrestimi u bë për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.
E. K., 25 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
Si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi D. K., 23 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Në funksion të procedimit penal të vitit 2019, regjistruar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Thanë, shërbimet e Policisë Kufitare pas njoftimit të dhënë nga Sektori i Narkotikëvë në DVP Tiranë është bërë ndalimi i automjetit tip autoveturë i markës Mercedes Benz, me drejtues shtetasin A. L.
Pas kontrollit të këtij automjeti në vijën e dytë, në pjesën e dyshemesë poshtë sediljes së shoferit është konstatuar një hapje e struktures metalike, në brendësi të së cilës janë gjetur 19 pako me lëndë të dyshuar narkotike të llojit cannabis sativa, me peshë 13 kg, të cilat u sekuestruan së bashku me automjetin dhe dy celularë.
Po në kuadër të këtij procedimi penal, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në rrugën “Shefqet Kuka”, Tiranë, është ushtuar kontroll në banesat e shtetasve E. K. dhe D. K. Gjatë kontrollit në ambientet pranë banesës së shtetasit E. K. është gjetur një armë armë zjarri kallashnikov. Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit D. K. në ambientet e banesës së këtij shtetasi u gjetën dy armë gjahu, për të cilat nuk dispononte leje.
Armët e zjarrit dhe armët e gjahut u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, në ngarkim të shtetasit A. L., për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, në ngarkim të shtetasit E. K. dhe për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, në ngarkim të shtetasit D. K.