Tiranë
Në kuadër të masave të përcaktuara në planin operacional “Tempulli 3”, nga Komisariati i Policisë Nr. 2 në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, u finalizua operacioni policor i koduar “Stacioni”.
Vihet në pranga një 33-vjeçar i dyshuar për shitje të lëndëve narkotike, në zona të ndryshme të Tiranës.
Sekuestrohen 232 doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, gati për shitje.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike dhe në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Tempulli 3”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Stacioni”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Gj., 33 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Ky shtetas dyshohet se pasi siguronte sasi lënde narkotike cannabis, e ndante atë në doza, të cilat më pas i shiste në zona të ndryshme në Tiranë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 232 doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, gati për shitje.
Materialet i kaluan Prokurorisë.