Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Collaboration”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 7 (Vorë), në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë.
Sekuestrohen 7 kg e 300 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis.
Vihen në pranga 3 shtetas që u kapën në flagrancë duke transportuar lëndën narkotike, me qëllim shitjen.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 7 (Vorë), në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, në vijim të operacioneve për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të mbështetura nga inteligjenca operative, për një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Collaboration”.
Si rezultat i këtij operacioni, në Rrugën e Limuthit, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve G. P., 18 vjeç, I. K., 22 vjeç, të dy banues në Vorë, dhe A. K., 20 vjeç banues në Dibër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, këta tre shtetas janë kapur në flagrancë duke transportuar, me këmbë, një thes brenda të cilit kishte lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë rreth 7 kg e 300 gramë.
Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. K., në Dibër, shërbimet e DVP Dibër, gjetën dhe sekuestruan 1 kg tjetër, me lëndë të dyshuar narkotike kanabis.
Punohet për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.