Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “All in”

Tiranë

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, angazhim maksimal për të garantuar sundimin e ligjit në territor, dhe goditjen e veprimtarive kriminale në çdo formë të shfaqjes së tyre.

Finalizohet operacioni policor i koduar “All in”.

Vodhën shumën 10 000 euro, në subjektin ku ishin të punësuar, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas.

Gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, ka rezultuar se dy të arrestuarit, ushtronin aktivitetin e paligjshëm të lojrave të fatit, nëpërmjet aparateve të tyre celulare.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për garantimin e sundimit të ligjit në territor, goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe në çdo formë të shfaqjes së tyre, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “All in”.

Si rezultat i tij u bë arrestimi i shtetasve G. K., 34 vjeç, dhe T. C., 49 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se këta shtetas, në periudha të ndryshme kohore, kanë vjedhur shumën 10 000 euro, në një subjekt ku ishin të punësuar, në lagjen “Ali Demi”.

Nga kontrollet e ushtruara në aparatet e tyre celular ka rezultuar se këta shtetas ushtronin veprimtarinë e paligjshme të organizimit të lotarive të palejuara (basteve sportive), nëpërmjet aparateve të tyre celular.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.