DVP Tiranë
Komisariati i Policisë Nr. 3 finalizon pas një pune të mirëfilltë hetimore, operacionin policor të koduar “Two”.
Ushtronin veprimtarinë e paligjshme të vënies së basteve sportive, nëpërmjet celularëve, vihen në pranga 2 shtetas.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale, 3 celularë që shërbenin për këtë veprimtari të paligjshme.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, pas një pune të mirëfilltë hetimore, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Two”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit A. K., 26 vjeç, dhe F. K., 21 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në një lokal në Institut, u konstatuan këta shtetas, në celularët e të cilëve, shërbimet e Policisë gjetën faqe dhe linqe që shërbenin për vënien e basteve sportive.
Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 3 celularë që shërbenin për këtë veprimtari të paligjshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.