Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas.
Në pranga një shtetas dhe dy të tjerë u shpallën në kërkim, pasi tentuan të trafikonin në Gjermani një shtetase 20-vjeçare, me qëllim për ta shfrytëzuar për prostitucion.
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafiqeve të paligjshme, me qëllim shfrytëzimin për prostitucion, si dhe falë një pune të mirëorganizuar, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se disa shtetas po tentonin të trafikonin në Gjermani një shtetase me qëllim shfrytëzimin për prostitucion, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas finalizoi me sukses operacionin e koduar “Fraud”, si rezulat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
A. B., 31 vjeç, lindur dhe banues në Fier
Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit E. K. dhe B. B., bashkëpunëtorë të shtetasit A.B.
Ky shtetas në bashkëpunim me shtetasit E. K., B. B. dhe një shtetas tjetër ende të paidentifikuar kishin organizuar trafikimin në Gjermani, me qellim shfrytëzimin për prostitucion, të një shtetaseje 20-vjeçare.
Shtetasit E. K. dhe B. B. u shpallën në kërkim dhe në bashkëpunim me Prokurorinë po vijon puna për identifikimin e personit tjetër të përfshirë në këtë vepër penale.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”.