Tiranë – Finalizohet operacioni “Deceiver”

Tiranë

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, finalizuan operacionin “Deceiver”, në kuadër të cilit u ekzekutuan masat e sigurisë:

  • “Arrest në shtëpi”, për shtetasen M. D., 55 vjeçe, banuese në Tiranë, e dyshuar për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal dhe masa e “Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale, për veprën penale të “Falsifikimi i dokumenteve”, parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal;
  • “Arrest në shtëpi”, për shtetasen L. N., 55 vjeçe, banuese në Tiranë, e dyshuar për veprën penale “Mashtrimi”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 143/3 dhe 25 i Kodit Penal;
  • “Arrest në shtëpi”, për shtetasen L. P., 39 vjeçe, e dyshuar për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 143/3 dhe 25 i Kodit Penal;
  • “Arrest në shtëpi” për shtetasin E. A., 33 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 143/3 dhe 25 i Kodit Penal.

Është shpallur në kërkim shtetasi L. V., 34 vjeç, banues në Gjermani, për të cilin është caktuar masa e sigurimit personal “Arrest në burg”, i dyshuar për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 143/3 dhe 25 i Kodit Penal.

Shtetasi L. V., dyshohet se ka mashtruar shtetas të ndryshëm duke ju thënë se i nevojiteshin të dhënat e tyre për të çelur llogari bankare dhe për të tërhequr shuma parash nga banka, në mënyrë që ai të mos tërhiqte vëmendjen e autoriteteve shtetërore. Pas çeljes së llogarive dhe tërheqjes së parave, ai i ka dhënë secilit shtetas nga 50 000 lekë si shpërblim.

Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi L. V. me anë të fotove të kartave të identitetit të këtyre shtetasve ka marrë kredi pranë disa institucioneve financiare, shuma parash që variojnë nga 5-7 milionë lekë të vjetra, të cilat janë transferuar në numrat e llogarive të shtetasve dhe pas tërheqjes janë përvetësuar nga shtetasi L. V.

Në këtë veprimtari të paligjshme është përfshirë edhe noterja M. D., e cila dyshohet se ka kryer noterizimin e kontratave me palë shtetas që nuk kanë qenë të pranishëm dhe që nuk i kanë nënshkruar këto kontrata dhe për të cilët janë paraqitur të dhëna të rreme lidhur me adresat e banimit dhe të dhënave të tjera.

Në përfundim të këtyre veprimeve, nga ana e punonjësve të institucionit financiar, konkretisht shtetasit L. N., (përgjegjëse zyre) L. P., dhe E. A., (oficerë kredie), janë mbajtur relacionet dhe vendimet e miratimit të kredive, të bazuara në të dhëna të rreme, të cilat nuk i përkasin palëve në cilësinë e debitorëve.

Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.