Tiranë – Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, operacioni “Vazhdimësia”

Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, operacioni “Vazhdimësia”.

Arrestohet në flagrancë 1 shtetas, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta drejt vendeve të BE-së, specialistët e Seksionit për Trafiqet, bazuar në informacionet e marra se një 34-vjeçar transportonte me mjet, emigrantë të paligjshëm nga Tirana në drejtim të Fushë Krujës, me qëllim transportimin e tyre drejt qytetit të Kukësit, me destinacion final vendet e Bashkimit Europian, zhvilluan operacionin policor të koduar “Vazhdimësia”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:

E. A., 34 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë ndjekjes nga Policia, në afërsi të Fushë Krujës, ky shtetas është përfshirë në një aksident, duke u dëmtuar vetë dhe 5 emigrantë të paligjshëm që gjendeshin me këtë shtetas, të cilët pas marrjes të mjekimit, kanë dalë nga spitali.

Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni u bë shpallja në kërkim të shtetasit O. C., 26 vjeç, pasi dyshohet si bashkëpunëtor i shtetasit E. A. në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.