Tiranë – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Sakosa”

Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Vorë, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë.

Vihen në pranga 2 shtetas.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vorë, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë penale, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Sakosa”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– D. S., 28 vjeç dhe A. Xh., 20 vjeç, banues në fshatin Marikaj, për veprën penale “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë.

Këta shtetas janë kapur në flagrancë, nga shërbimet e Policisë, gjatë kohës që po tentonin të vidhnin disa profile hekuri, për tabela reklamuese, në lagjen Sakosë, Vorë.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 31.03.2022, kanë vjedhur kabllo elektrike në ambientet e një impianti për prodhimin e paneleve diellore.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.