Tiranë – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Online”

Tregtonin mallra kontrabandë, vihen në pranga 2 shtetas, shpallen në kërkim 2 bashkëpunëtorët e tyre.

Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Në vijim të punës dhe goditjeve të njëpasnjëshme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, nga Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, u finalizua operacioni policor i koduar “Online”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi i shtetasve:

B. Z., 31 vjeç, banues në Tiranë dhe A. R., 27 vjeç, banues në Durrës, të dy punonjës në një postë private.

Gjithashtu u shpallën në kërkim bashkëpunëtorët e tyre, shtetasit N. C., 42 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një poste private, dhe B. Sh., 38 vjeç.

Këta shtetas dyshohet se kalonin në kufi, duke shmangur detyrimet doganore, mallra kontrabandë të një subjekti tregtar në Kosovë, dhe më pas i shisnin ato, duke fshehur të ardhurat, te personat që i kishin porositur online në Shqipëri.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve të sipërpërmendur, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjerë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, ”Ruajtja dhe depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.