Tiranë – Finalizohen gjatë 24 orëve të fundit, 2 operacione kundër trafikimit të lëndëve narkotike

DVP Tiranë/Finalizohen gjatë 24 orëve të fundit, 2 operacione kundër veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike.

Goditen 2 grupe kriminale që trafikonin lëndë narkotike cannabis sativa nga SHBA dhe nga Tajlanda, në Shqipëri, nëpërmjet shërbimit postar.

Vihen në pranga 3 shtetas, shpallen në kërkim 3 të tjerë, pjesëtarë të këtyre 2 grupeve.

Sekuestrohen 4 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa me përqindje të lartë TCH, që dyshohet se do të shiteshin në Tiranë dhe në Elbasan.

Sekuestrohet edhe një sasi kokaine që u gjet në banesën e njërit prej këtyre shtetasve.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Tiranë, në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Narkotikëve në DPPSH, Drejtorinë e Hetimit Doganor, Filialin Qendra Tranzite e Postës Shqiptare dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, si rezultat i veprimeve të kryera me metoda proaktive në kuadër të dy procedimeve për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kanë finalizuar 2 operacione për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.

-Si rezultat i operacionit të koduar “Destinacioni 1” u godit një grup kriminal që trafikonte lëndë narkotike cannabis sativa nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, nëpërmjet shërbimit postar. Për këtë veprimtari kriminale, u arrestua në flagrancë shtetasi E. H., 34 vjeç, banues në Elbasan, dhe u shpall në kërkim shtetasi E. D., 24 vjeç.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2.3 kg cannabis sativa me përqindje të lartë TCH, e parashikuar për t’u shitur në Elbasan, me vlerën 45 000 euro, 170 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë që u gjet në banesën e shtetasit E. D., shuma parash, celularë dhe automjete të përdorura për këtë veprimtari kriminale.

-Si rezultat i operacionit të koduar “Destinacioni 2” u godit një grup kriminal që trafikonte lëndë narkotike cannabis sativa nga Tajlanda në Shqipëri, nëpërmjet shërbimit postar. Për këtë veprimtari kriminale u arrestuan në flagrancë shtetasit: B. L., 19 vjeç dhe një shtetas 17 vjeç, të dy banues në Tiranë, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit B. L., 18 vjeç dhe E. L., 18 vjeç.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1.7 kg cannabis sativa me përqindje të lartë TCH, e parashikuar për t’u shitur në Tiranë, me vlerën 23 000 euro, shuma parash, celularë dhe automjete të përdorura për këtë veprimtari kriminale.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtyre 2 rasteve dhe identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.