Tiranë – Bien në prangat e Policisë 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale

Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Bien në prangat e Policisë 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit M. H., 21 vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin që menaxhonte, shërbimet e Policisë kanë gjetur një laptop në të cilin kishte të hapur një faqe website për luajtjen e lojërave të paligjshme të fatit, e përdorur në mënyrë të vazhdueshme.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve A. M., 33 vjeç dhe N. D., 23 vjeç, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në rrugën “Ali Baushi” i kanë vjedhur biçikletën shtetasit N. L. Gjithashtu, këta shtetas, më datë 27.09.2020, në rrugën “5 Maji” i kanë vjedhur biçikletën shtetasit A. L.

Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë ndalimi i shtetasit H. B., 45 vjeç, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit M. T., 20 vjeç, pasi ka vjedhur disa veshje në një qendër tregtare. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan veshjet e vjedhura dhe një palë pinca që i përdorte për të hequr barkodet e veshjeve.

Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

I. V., 57 vjeç dhe R. Sh., 21 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet pa lejen përkatëse;

R. K., 39 vjeç, pasi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.76 mg/l.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.