Tiranë/Arrestohet 1 shtetas, i dyshuar për shpërdorim të detyrës

Tiranë

Vijojnë hetimet për zbardhjen e vjedhjes së kryer dje, në një bankë në rrugën “Sulejman Delvina”.

Arrestohet roja i bankës, i dyshuar për shpërdorim të detyrës.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Pronës, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e vjedhjes së kryer dje, në një bankë në rrugën “Sulejman Delvina”, arrestuan në flagrancë shtetasin F. Ç., 60 vjeç, punonjës i një shoqërie private të sigurisë fizike, i ngarkuar për ruajtjen e bankës.

Nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se shtetasi F. Ç. është larguar përkohësisht gjatë orarit të shërbimit dhe nuk ka marrë masat e nevojshme për sigurimin e ambienteve të brendshme të bankës.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet intensive për dokumentimin e plotë të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit.