Stacion policor i lëvizshëm për përmirësimin e cilësisë së shërbimit për qytetarët, si dhe për të forcuar marrëdhënien Polici-Komunitet.
Programi “Forcimi i Policimit në Komunitet në Shqipëri” (SCPA) i ka dhuruar sot Sektorit për Policimin në Komunitet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit një automjet të ri furgon të përshtatur si zyrë lëvizëse në funksion të përmirësimit të shërbimit policor për qytetarët.
Mesditën e sotme, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Eksperti Ndërkombëtar për Policimin ne Komunitet i Programit SCPA, z. Ulrich Dugas, i ka dorëzuar Drejtorit të Departamentit për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit Gjovalin Loka, një automjetin furgon të përshtatur si zyrë, me qëllim përdorimin e tij si stacion policor në lëvizje, për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve në nevojë në zona të largëta nga rajonet policore dhe për aktivitetet e përbashkëta Polici-Komunitet.
Drejtor Loka ka falënderuar përfaqësuesit e Programit SCPA për mbështetjen e vazhdueshme dhe kontributin e dhënë për implementimin e formës më të përparuar të policimit në komunitet, dhe ka theksuar se ky automjet do t’i shërbejë përmirësimit të cilësisë së shërbimit dhe aktiviteteve të përbashkëta me qytetarët.
Furgonë të tillë të personalizuar përdoren në shumë vende evropiane për punë policore, përfshirë ndërgjegjësimin për çështjet e sigurisë.
Ky automjet është i pajisur me logjistikën e nevojshme, i përshtatur si mini-zyrë për përdoruesit, për t’i shërbyer qytetarëve nëse ata kanë ndonjë shqetësim. Kjo do jetë një mënyrë mjaft inovative për të bashkëvepruar me publikun.