SPAR dhuron 10.000 maska dhe doreza për Policinë e Shtetit, në kushtet kur efektivët përballen çdo ditë me orare të zgjatura në punë, në luftën për të parandaluar përhapjen e COVID-19.
Donacioni është dorëzuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nga përfaqësuesja e SPAR Albania, Granada Flaga, e cila u shpreh:
“SPAR ka treguar gjithnjë një angazhim të veçantë në përgjegjësinë sociale, kjo nën kujdesin e veçantë të Grupit Balfin dhe në vizionin e konsoliduar të presidentit të grupit, z. Samir Mane. Sot, patjetër, nuk kishte si të mos ishim në këto ditë vështira pranë Policisë së Shtetit, që sikurse me mjekët, janë në vijën e parë për të shpëtuar jetët e qytetarëve. Sot, SPAR dhuron 10.000 maska dhe doreza dhe urojmë që kjo të jetë një ndihmë në Policisë e Shtetit, për t’i shërbyer qytetarëve. Shumë falënderime dhe mirënjohje për punën e tyre”.
Drejtori i Departamentit për Shërbimet Mbështetëse në Policinë e Shtetit, Theodhori Gravani, falënderoi përfaqësuesit e kompanisë dhe të SPAR Albania për kontributin e çmuar, kontribut ky që vjen në një moment të rëndësishëm dhe delikat për punonjësit e Policisë, të cilët përballen çdo ditë me rrezikun e infektimit apo të transmetimit të virusit te familjarët e tyre.
Policia e Shtetit, bashkë me mjekët, infermierët, forcat e armatosura, zjarrfikëset etj., mbeten në vijën e parë të frontit për përballjen e Koronavirusit.