Shoqata Amerikano-Shqiptare e Zbatimit të Ligjit (AALEA), kontribut prej 10 000 dollarësh, për familjarët e Dëshmorit të Atdheut Allaman Dervishi.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, priti në takim kryetarin e Shoqatës Amerikano-Shqiptare Elton Shametaj dhe disa prej anëtarëve të kësaj shoqate. Gjatë takimit tejet miqësor, Drejtori i Përgjithshëm ka njohur të pranishmit, me proceset reformuese që po kalon Policia e Shtetit, si edhe me rezultatet e arrira në luftën kundër krimit, duke mos lënë mënjanë vendosmërinë për të ndëshkuar cilindo punonjës nga radhët e Policisë që tenton të abuzojë me detyrën, duke cenuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve.
Gjatë ceremonisë së zhvilluar me praninë e familjarëve të Dëshmorit të Policisë Allaman Dervishi dhe të drejtuesve të Policisë, Drejtori i Përgjithshëm ka falënderuar z. Shametaj, për solidaritetin e treguar në mënyrë të vazhdueshme, për familjarët e punonjësve të Policisë që kanë humbur jetën në krye të detyrës.
“Vlerësoj shumë humanizmin tuaj dhe të anëtarëve të shoqatës, kontributin për të mbështetur dhe për të ndihmuar sadopak famljarët e Dëshmorëve të Policisë. Angazhimi juaj për rritjen e imazhit të Policisë së Shtetit në SHBA, është shumë i nevojshëm për ne dhe për këtë ju jam mirënjohës në emër të Policisë së Shtetit”, – është shprehur Drejtori i Përgjithshëm.
Elton Shametaj: “Ne ndihemi krenarë që kontribuojmë për imazhin e Policisë së vendit tonë. Pavarësisht se ne jetojmë dhe punojmë në SHBA, e ndiejmë detyrë dhe mison të përkrahim vendin tonë. Sot jemi këtu për t’i dhuruar familjarëve të njërit prej Dëshmorëve të Policisë, një çek me kontributin e të gjithë Shoqatës Amerikano-Shqiptare të Zbatimit të Ligjit. Dëshmorët e Policisë janë burim frymëzimi, akti i tyre sublim përbën obligim për të gjithë ne që të kujdesemi dhe të ndihmojmë famijarët e tyre”.
Në shenjë të këtij solidariteti, kreytari i Shoqatës Amerikano-Shqiptare Elton Shametaj i ka dorëzuar familjarëve të Dëshmorit të Atdheut Allaman Dervishi, çekun prej 10 000 dollarësh.
Familjarët e Dëshmorit të Atdheut Allaman Dervishi kanë falënderuar përfaqësuesit e shoqatës dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për solidaritetin dhe respektin e treguar.









