Kanosi me armë gjahu bashkëshorten dhe ushtroi dhunë fizike ndaj saj, vihet në pranga 35-vjeçari.
Nga specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Shkodër është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. K., 35 vjeç, banues në lagjen “Skënderbeg”, Shkodër.
Arrestimi i tij u bë pasi shtetasja B. K., 32 vjeçe, ka telefonuar në sallën e komandimit të DVP Shkodër, se bashkëshorti i saj po ushtronte dhunë fizike ndaj saj dhe e kishte kanosur me armë gjahu. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër kanë vlerësuar situatën dhe kanë shkuar në adresën e dhënë, në lagjen “Skënderbeg”, Shkodër, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të këtij konflikti dhe duke arrestuar në flagrancë bashkëshortin e shtetases B. K.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e gjahut çifte me fishekë në fole, me të cilën 35-vjeçari kishte kanosur bashkëshorten, si dhe një sasi fishekësh arme gjahu.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Kanosja“ dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.