Vijon kontrolli i territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.
Finalizohet operacioni policor “Mazrek 2020”.
Kapet dhe ndalohet 1 shtetas i shpallur në kërkim për kultivim të bimëve narkotike.
Procedohet në gjendje të lirë kryetari i Njësisë Administrative Guri i Zi.
Nga strukturat e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, në kuadër të operacionit policor “Mazrek 2020”, u bë ndalimi i shtetasit në kërkim P. N., 36 vjeç, banues në lagjen “Partizani”, Shkodër.
Ndalimi i tij u bë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”. Nga veprimet hetimore ka rezultuar që ky shtetas, në fshatin Mazrek, lagjja “Geraj”, Njësia Admininistrative Gur i Zi, ka kultivuar fidanë narkotike në një sipërfaqe toke pyjore.
Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë, shtetasi P. M., 31 vjeç, me detyrë kryetar i Njësisë Administrative Guri i Zi, për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Shpërdorim detyre”.
Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme.