Shkodër – Drejtonte mjetin në gjendje të dehur dhe tentoi të largohet nga ambientet e DVP-së, por u vu në pranga nga shërbimet e policisë

Shërbimet e Seksionit të Qarkullimit Rrugor gjatë kontrolleve të ushtruara me drager për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e atyre personave që drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, në orët e vona të mbrëmjes së djeshme kanë konstatuar se shtetasi A. H. 35 vjeç, banues në Shkodër drejtonte mjetin në gjendje të dehur.

Pas kryerjes së alkool testit, drejtuesi i mjetit është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë dhe gjatë shoqërimit nga punonjësi i policisë për tek dhomat e paraburgimit ka tentuar të largohet nga ambientet e D. V. P. Shkodër, por falë reagimit të shpejtë nga shërbimet e tjera të policisë është bërë kapja dhe arrestimi i tij.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme.