Shijak
Finalizohet operacioni policor i koduar “Theft network”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës.
Vidhnin automjete, mjete lundruese, banesa e tabakino, identifikohet dhe goditet grupi që vepronte në qarkun Durrës e Tiranë.
Vihen në pranga 4 pjesëtarë të grupit si dhe shpallet në kërkim një pjesëtar tjetër i grupit.
Zbardhen dhe dokumentohen me prova ligjore 4 vjedhje të kryera në Sukth, në fshatin Bilalas dhe në Mullet, Tiranë si dhe vijon puna për dokumentin e një sërë vjedhjesh të tjera që dyshohet se janë kryer nga ky grup.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale një mjet lundrues Skaf, një automjet kamionçinë si dhe prova të tjera materiale që do shërbejnë për dokumentimin e vjedhjeve të tjera të kryera nga ky grup.
Në zbatim të planit të masave të hartuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, për marrjen e masave me qëllim parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative për një grup që kryente vjedhje në qarkun e Durrësit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Theft network”.
Në kuadër të operacionit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasve:
D.S., 26 vjeç, banues në Marikaj;
D.M.,18 vjeç, banues në Shkodër;
E.M., 38 vjeç, banues në Mamurras;
A.L., 48 vjeç, banues në Mamurras.
Si dhe u bë shpallja në kërkim dhe vijon puna për kapjen e shtetasit E.Z., 49 vjeç, banues në Tiranë.
Si rezultat i veprimeve hetimore u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi me prova ligjore i ngjarjeve si më poshtë:
Vjedhja e mjetit lundrues skaf e shtetasit S. K., në Sukth;
Vjedhja në tabakinon e shtetasit R. V., në fshatin Bilalas;
Vjedhja e dy automjeteve e konkretisht furgon dhe kamionçinë, të vjedhura në Mullet Tiranë më datë 13.02.2025.
Gjatë operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një mjet lundrues, një automjet kamionçinë, rrobat e përdorura nga personat e dyshuar në vjedhjen e tabakinos së shtetasit R. V., dhe katër aparate celularë.
Vijojnë veprimet hetimore për dokumentin ligjor të vjedhjeve të tjera të kryera nga këta shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim.