Shijak – Finalizohet operacioni policor i koduar “Repeater”

Shijak

Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Durrës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shijak, operacioni policor i koduar “Repeater”.

Shitnin lëndë narkotike në lokale nate dhe në lagje të qytetit të Shijakut, arrestohet në flagrancë një 20-vjeçar, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij, një 26-vjeçar, i cili kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Në banesën e 26-vjeçarit, Policia gjeti qindra doza lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, një pjesë në formë boçeje në përpunim për ta ndarë në doza.

Sekuestrohen lënda narkotike, 1 peshore elektronike, 1 automjet dhe 3 celularë.

Si rezultat i një hetimi të kryer me metoda speciale, për 4 javë, për një rast të shitjes së lëndëve narkotike, Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shijak, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Repeater”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi A. S., 20 vjeç, banues në Shijak dhe u shpall në kërkim shtetasi F. M., 26 vjeç, banues në Shijak, aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi dyshohet se bashkëpunonin për shitjen e dozave të kanabisit, në Shijak.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.