Sarandë/Goditje të njëpasnjëshme në kuadër të megaoperacionit “Tempulli 2”, kundër veprimtarisë kriminale të shitjes në doza, të lëndëve narkotike.
U kap në flagrancë, me doza cannabisi dhe një mjet prerës (thikë), në automjet, vihet në pranga 46-vjeçari (shtetas polak).
Sekuestrohen dozat e cannabisit dhe një tjetër sasi cannabisi që u gjet në banesën e këtij shtetasi, si dhe mjeti prerës (thikë).
Si rezultat i kontrolleve në të gjithë territorin e qarkut dhe punës së inteligjencës policore, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli 2”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë kanë konstatuar dhe goditur një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të shitjes në doza, të lëndëve narkotike, rast për të cilin u vu në pranga shtetasi polak A. S., 46 vjeç.
Në lagjen nr.2, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me të cilin qarkullonte 46-vjeçari dhe gjatë kontrollit në automjet, kanë gjetur doza të lëndës së dyshuar narkotike cannabis sativa gati për shitje dhe një mjet prerës (thikë). Më pas, gjatë kontrollit në banesën e tij, është gjetur dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis.
Lënda narkotike dhe mjeti prerës (thikë) u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.