Sarajevë – Takim mbi zbatimin e Udhërrëfyesit/Planit të Veprimit, për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta në Ballkanin Perëndimor

Sarajevë

SEESAC, organizoi  një takim mbi zbatimin e Udhërrëfyesit / Planit të Veprimit, për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta në Ballkanin Perëndimor

Një delegacion me përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, të Policisë së Shtetit, Prokurorisë së Përgjithshme dhe të Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, morën pjesë në takimin e Sarajevës në Bosnjë – Hercegovinë, i organizuar nga SEESAC, mbi zbatimin e Udhërrëfyesit / Planit të Veprimit për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta në Ballkanin Perëndimor, në kuadër të iniciativës franko-gjermane për këtë problem.

    

Në këtë takim me prezencën edhe të mjaft donatorëve ndërkombëtarë, u bë një përditësim mbi ecurinë e harmonizimit të legjislacionit me kornizën rregullatore të BE-së dhe instrumenteve të tjera ligjore ndërkombëtare; dokumentet strategjike të kontrollit të armëve (strategjitë kombëtare), duke përfshirë në veçanti progresin në vendosjen e Njësisë Qendrore të armëve të zjarrit (FFP); sfidat dhe përditësimi i aktiviteteve / statistikave për parandalimin dhe luftën ndaj tregtisë së paligjshme / trafikimit të armëve të zjarrit; masat e kontrollit të eksportit të armëve për të siguruar parandalimin e devijimit të armëve të zjarrit dhe municionit nga tregtia e ligjshme; reduktimin e zotërimit të paligjshëm të armëve të zjarrit nëpërmjet konfiskimeve, aktiviteteve të ndërgjegjësimit, dorëzimit vullnetar, çaktivizimit, standardizimin e të dhënave të Policisë dhe të sistemit të drejtësisë penale, si dhe numrin e ulët të dënimeve etj., në të gjithë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Në konkluzionin e përgjithshëm të këtij takimi u theksua se shtetet e Ballkanit Perëndimor, kanë vlerësuar dhe po ndjekin me seriozitet realizimin e detyrimeve në kuadër të këtij projekti për parandalimin e mbajtjes se armëve të zjarrit në mënyrë të paligjshme apo për trafikimin e tyre.

Në këtë kuadër edhe institucionet e shtetit shqiptar kanë përgatitur Strategjinë për kontrollin e armëve të vogla, të lehta, municioneve dhe eksplozivëve 2019 – 2024 dhe Planin e Veprimit 2019 – 2021 që tashmë janë miratuar me VKM Nr. 50 datë 6.2.2019, ku parashikohen aktivitete për të gjithë strukturat dhe institucionet në Shqipëri, si dhe zhvillimi i aktiviteteve ndërgjegjësuese dhe sensibilizuese me mediat, shkollat, komunitetin etj.