Vijojnë kontrollet në territor, puna hetimore dhe operacionale, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Janë finalizuar 3 operacione, në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushat e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje, si dhe për kapjen e një shtetasi në kërkim ndërkombëtar.
Janë kapur 6 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale, njëri prej tyre i dënuar me mbi 2 vjet burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, njëri prej të cilëve nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për ndalim, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste, me 2 shtetas të arrestuar, 8 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim.
Gjithashtu, u procedua penalisht shtetasi M. S., 64 vjeç, pasi dyshohet se, për motive pronësie, ka kanosur me armë gjahu shtetasin A. Q., në fshatin Cudhi, Krujë.
U referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi shtetasi S. K., 30 vjeç, ka tentuar të vetëvaret në oborrin e banesës së tij, në rrugën “Havzi Nela”. Ai ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 9 raste, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 4 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Kavajë/U proceduan penalisht shtetasit R. I., Xh. B., E. D. dhe Z. D., banues në Durrës dhe Rrogozhinë, pasi dyshohet se kanë kryer veprime të dhunshme në ambientet e stadiumit “Arena Egnatia”, Rrogozhinë, gjatë ndeshjes së futbollit “Teuta-Egnatia”.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit janë evidentuar 7 raste, me 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 8 raste të dhunës në familje, me 2 shtetas të arrestuar, 5 të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 në kërkim. Gjithashtu, janë plotësuar 12 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 7 raste, me 5 shtetas të proceduar penalisht dhe 2 në kërkim.
Në fushën e krimeve kibernetike është evidentuar 1 rast, me 1 shtetas të proceduar penalisht.
Janë arrestuar 3 shtetas dhe janë proceduar penalisht 3 shtetas, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi.
Janë proceduar penalisht 9 shtetas, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe largim nga vendi i aksidentit.
Është arrestuar 1 shtetas dhe është shpallur në kërkim 1 tjetër, për thyerje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas, i cili nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, si dhe 4 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale.
Interpol Tirana/ U ekstradua në Azerbajxhan, shtetasi E. A., 37 vjeç, banues në Turqi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Baku, Azerbajxhan, pasi Gjykata e Aghdashit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Keqpërdorimi i fondeve/Mashtrimi”.
U ekstradua në Itali, shtetasi Fatjan Stafa alias Fatjan Dushku, 40 vjeç, banues në Shijak, pasi Gjykata e Apelit e Firences e ka dënuar me 7 vjet, 7 muaj e 12 ditë burgim për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”.
Ky shtetas, gjatë periudhës mars 2009–korrik 2013, në bashkëpunim me shtetas të tjerë shqiptarë, ka trafikuar lëndë narkotike kokainë nga Holanda në Itali, duke luajtur rolin e ndërmjetësit mes palëve deri në dërgimin e lëndës narkotike te shpërndarësit.
Shërbimet e Policisë Kufitare kapën 2 shtetas në kërkim dhe proceduan penalisht 5 shtetas për kalim të paligjshëm të kufirit.
Krujë/Dje, në fshatin Borizanë, është gjetur i djegur një automjet tip “Benz”, me portobagazh, në pronësi të shtetasit H. H., banues në Divjakë. Nga verifikimet rezultoi se ky mjet ishte kallëzuar i vjedhur në Divjakë. Vijojnë hetimet për rastin.
Tiranë/ Shtetasi F. S., 43 vjeç, banues në Tiranë, ka kallëzuar se, para 2 javësh, vëllai i tij binjak, shtetasi F. S., është larguar nga banesa, dhe se nuk ka informacion për vendndodhjen e tij. Punohet për gjetjen e tij.
Tiranë/Dje, në Spitalin e Traumës, shtetasi E. A., 58 vjeç, dyshohet se është vetëhedhur nga dhoma në katin e tretë, ku po merrte mjekim, dhe, si pasojë, ka humbur jetën.
Grupi hetimor po punon për dokumentimin e rrethanave të rastit.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe ruajtjen e anonimatit.
