Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër
Në lidhje me një video të publikuar ku pretendohet se një shtetas i mitur është shoqëruar me forcë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, ju bëjmë me dije se:
Shërbimet e Policisë, në zbatim të urdhrit të prokurorit, kanë shkuar në banesën e 14-vjeçarit. Pasi i kanë treguar familjarëve, urdhrin për shoqërimin e 14-vjeçarit, ky i fundit dhe familjarët e tij kanë kundërshtuar shërbimet e Policisë.
Punonjësit e Policisë, pavarësisht sjelljes kundërshtuese nga ana e tij dhe e familjarëve, e kanë marrë 14-vjeçarin, pa ushtruar dhunë, dhe e kanë shoqëruar në Komisariat, për kryerje të veprimeve procedurale shtesë, të autorizuara nga prokurori, për një ngjarje të ndodhur më parë.
Sqarojmë se në asnjë moment, shërbimet e Policisë nuk kanë ushtruar dhunë ndaj 14-vjeçarit.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër siguron qytetarët se është e vendosur për të respektuar ligjin dhe të drejtat e qytetarëve.